Shpenzimet globale për armët bërthamore arritën një nivel rekord vitin e kaluar. Nëntë shtetet e armatosura me armë bërthamore shpenzuan së bashku pothuajse 103 miliardë euro për arsenalet e tyre bërthamore vitin e kaluar.
Raporti është bërë publik nga Organizata Ndërkombëtare për Heqjen e Armëve Bërthamore, shkjruan A2 CNN. Kjo përfaqëson një rritje prej 19 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kjo do të thotë që fuqitë bërthamore së bashku shpenzuan plot 3,200 euro në sekondë për arsenalet e tyre bërthamore vitin e kaluar. "Po përballemi me një garë të re armësh bërthamore", paralajmëroi organizata. Organizata ishte forca lëvizëse pas Traktatit të OKB-së për Ndalimin e Armëve Bërthamore. Ajo mori Çmimin Nobel për Paqen për këtë në vitin 2017. Traktati hyri në fuqi në vitin 2021.
Deri në vitin 2025, SHBA-të kishin shpenzuar më shumë para për armë bërthamore sesa tetë vendet e tjera me armë të tilla së bashku, raporton ICAN. Ato kishin investuar gjithsej 69.2 miliardë dollarë, të ndjekura nga Kina me 13.5 miliardë dollarë. Mbretëria e Bashkuar e kaloi Rusinë në vendin e tretë, me investime prej 12.6 miliardë dollarësh. Investimi i Rusisë ishte 9.5 miliardë dollarë.
Sipas raportit Rusia ka më shumë armë bërthamore me 5,420. Më pas vijnë SHBA-të me 5,042, Kina me 620, Franca me 300, Mbretëria e Bashkuar me 225, India me 190, Pakistani me 170, Izraeli me 90 dhe Koreja e Veriut me 60.
Sipas raportit, më shumë koka bërthamore janë transferuar nga ruajtja në sistemet e shpërndarjes. Ky zhvillim, së bashku me rritjen e përgjithshme të shpenzimeve, nxitet më tej nga frika se inteligjenca artificiale mund të rrisë rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore, tha për AFP-në bashkautorja e raportit Susi Snyder. Kjo është jashtëzakonisht alarmante. "Për të qenë e sinqertë, jam e tmerruar", tha ajo.
Teorikisht, një investim i vetëm një dite mund të sigurojë që dy milionë njerëz të mos shqetësohen më për vaktin e tyre të radhës, raporton organizata e njohur. Sipas raportit, fondet e mbledhura vetëm gjatë tre viteve të fundit mund t'i kishin dhënë fund urisë në botë. "Shpenzimet për vitin 2025 mund të kishin mbuluar buxhetin e rregullt të Kombeve të Bashkuara për 32 vjet", thuhet në raport. (A2 Televizion)