
Brukseli po rishikon organizimin e një samiti të rëndësishëm mes Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar të planifikuar për më 22 korrik, pas zhvillimeve të fundit politike në Londër që kanë vënë në pikëpyetje stabilitetin e qeverisë britanike.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, deklaroi se institucionet e BE-së janë në proces “rivlerësimi” të mundësisë për mbajtjen e samitit siç ishte parashikuar, në bashkëpunim me Këshillin Evropian dhe autoritetet britanike.
Sipas saj, vendimi përfundimtar do të varet nga zhvillimet e brendshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Samiti, i cili ishte konfirmuar vetëm javën e kaluar gjatë një takimi mes kryeministrit britanik Keir Starmer dhe drejtuesve të BE-së në samitin e G7 në Francë, ishte menduar si një hap i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve pas Brexit-it. Në fokus priteshin marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit tregtar, integrimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe rritjen e lëvizshmërisë së të rinjve.
Megjithatë, situata politike në Londër është bërë më e paqartë pas njoftimit të Starmer për largim nga posti i kryeministrit, gjë që ka hapur diskutime mbi mundësinë e shtyrjes së samitit.
(A2 Televizion)