
Një gjykatë turke urdhëroi arrestimin e një komediani i cili është dërguar në paraburgim, në pritje të procesit gjyqësor ku do të përballet me akuzat e fyerjes së vlerave fetare dhe Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. I riu e ka cilësuar Erdoganin si “diktator” në një stand-up komedi, që është publikuar edhe në platformat sociale.
Deniz Goktas, u ndalua të enjten në aeroportin kryesor të Stambollit për t'u marrë në pyetje, pas kthimit të tij nga një udhëtim jashtë vendit, disa ditë pasi prokurorët nisën një hetim për shfaqjen e tij të humorit, e cila kishte korrur një shikueshmëri të lartë internet.
Video mori plot 9.5 milionë shikime pasi u ngarkua në YouTube më 24 qershor. Gazeta pro-qeveritare Sabah tha se dhjetëra shikues u ofenduan nga shakatë mbi fenë dhe paraqitën ankesa, duke nxitur hetimin.
Gjatë marrjes në pyetje, Goktas, 32 vjeç, tha se nuk kishte si qëllim të përdhoste vlerat fetare apo fyente Presidentin, duke theksuar se qasja e tij ishte satirike. Fyerja e presidentit është një vepër penale në Turqi, e dënueshme deri në katër vjet burg.
Erdogani e ka konsoliduar pushtetin gjatë më shumë se dy dekadave në detyrë dhe kritikët thonë se ai e ka ngushtuar vazhdimisht hapësirën për lirinë e shprehjes. Gazetarët dhe kritikët e qeverisë shpesh përballen me hetime, paraburgime ose ndjekje penale.
(A2 Televizion)