
Influencuesi kontrovers Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan janë arrestuar në SHBA në kuadër të procedurave për ekstradim drejt Mbretërisë së Bashkuar, pasi autoritetet britanike ngritën akuza të reja penale ndaj tyre.
Sipas Prokurorisë Britanike (CPS), Andrew Tate akuzohet për shtatë raste të tjera përdhunimi, si dhe për trafikim seksual dhe vepra të lidhura me pornografinë me të mitur. Ndërsa Tristan Tate akuzohet për një rast sulmi seksual, dy raste përdhunimi dhe tre raste të organizimit ose lehtësimit të trafikimit për shfrytëzim seksual.
Veprat e dyshuara janë kryer mes viteve 2010 dhe 2017. Vëllezërit Tate i kanë mohuar të gjitha akuzat. Avokati i tyre i cilësoi akuzat si të motivuara politikisht dhe deklaroi se ata do të provojnë pafajësinë në gjykatë.
Më herët, në vitin 2025, ndaj tyre ishin konfirmuar edhe 21 akuza të tjera në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ata vijojnë të jenë nën hetim edhe në Rumani. (A2 Televizion)