“Armëpushimi me Iranin ka marrë fund”, Trump: Nuk dua të merrem më me ta, janë llumi i shoqërisë

Nga Rosalba Bejdo
8 Korrik 2026, 13:07 | Bota

Armëpushimi me Iranin ka marrë fund. Nga Ankaraja, ku po merr pjesë në samitin e NATO-s, presidenti amerikan Donald Trump sinjalizoi një ndryshim kursi ndaj Republikës Islamike, nga tryeza e diplomacisë drejt një rikthimi të luftës.

Deklarata e tij erdhi pasi Teherani goditi bazat amerikane në rajon, si hakmarrje pas sulmeve amerikane ndaj rreth 80 objektivave iraniane. Bombardimet e reja të Shteteve të Bashkuara, të autorizuara me urdhër të presidentit Trump dhe sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, nga Ankaraja, pasuan sulmet ndaj cisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit, të cilat Uashingtoni ia atribuon Teheranit.

“Për mua, kjo histori ka mbaruar. Nuk dua të merrem më me ta. Janë llum. E dini ç'do të thotë llum? Janë llumi i shoqërisë. Janë njerëz të sëmurë, të udhëhequr nga njerëz të sëmurë. Janë mizorë dhe të dhunshëm. Po të kishin një armë bërthamore, do ta përdornin. Sa më takon mua, kjo çështje ka marrë fund”, tha Trump, përcjell A2 CNN.

Trump shtoi se negociatorët nga të dyja palët do të vijojnë bisedimet, por sipas tij, ato vetëm sa po humbasin kohë. Në orët e vona të së martës, SHBA njoftoi se kishte shënjestruar më shumë se 80 objektiva në Iran, pas sulmeve ndaj tre cisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit, ndonëse Irani nuk ka marrë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këto sulme. Në kundërpërgjigje, Republika Islamike goditi zona ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt.

Shefi i NATO-s i cilësoi sulmet si të domosdoshme. “Mendoj se sulmet janë plotësisht të nevojshme, pasi kur ke një armëpushim dhe Irani e shkel atë, është thelbësore që SHBA të reagojë me forcë”, tha Rutte.

Irani, nga ana tjetër, akuzon SHBA-në për shkelje të armëpushimit. Sipas kryeparlamentarit Mohammad Ghalibaf, Uashingtoni kishte shkelur marrëveshjet për administrimin e Ngushticës së Hormuzit, kishte kërcënuar vazhdimisht se do të sulmonte Teheranin dhe kishte rikthyer sanksionet ndaj naftës iraniane.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos