Kreu manovra të rrezikshme në rrugë dhe postoi video në rrjetet sociale, procedohet i riu në Bulqizë

Nga A2 CNN
9 Shtator 2023, 11:21 | Kronikë
Kreu manovra të rrezikshme në rrugë dhe postoi video në

Një tjetër i ri është proceduar penalisht nga policia e Bulqizës pasi kreu manovra të rrezikshme me automjet, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe ndoti ajrin. Policia njofton se 25-vjeçari më pas postoi video në rrjetet sociale ku u identifikua dhe procedua penalisht.

Ai u gjobit me 60 mijë lekë të rinj, për shkelje të Kodit Rrugor, si dhe iu tërhoq leja e qarkullimit.

Njoftimi i Policisë Bulqizë

Bllokoi qarkullimin e lirë të mjeteve për të kryer manovra të rrezikshme (drift) me automjet, ndoti ajrin e më pas e postoi video-n në rrjete sociale, identifikohet, kapet dhe procedohet penalisht 25-vjecari, drejtuesi i automjetit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, pas publikimit të një video-je në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti, i cili kishte bllokuar rrugën pasi po kryente manovra të rrezikshme (drift) me automjet duke shkaktuar ndotje të ajrit e duke u bërë burim aksidenti për vete dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, u bë e mundur identifikimi dhe shoqërimi i shtetasit E.N, 25 vjeç,  që shfaqet në video.

Ndaj 25-vjeçarit, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Ndotja e ajrit”.

Gjithashtu nga shërbimet e Policisë Rrugore u vendos masa administrative  me vlerë 60 mijë lekë të rinj, për shkelje të nenit 139, pika 3, të Kodit Rrugor, si dhe iu tërhoq leja e qarkullimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos